KLINIKA  RADOVANI
 
         Ne ju rikthejme degjimin.......                                 TEL: 042 371735
   Home      Roli i familjarëve apo miqve për adoptimin e aparateve te degjimit
 


 
Shkruar nga Prof. Dr. Pjerin Radovani



        Rënia e aftësisë së dëgjimit në të moshuar njihet si presbiakuzi dhe kjo rënie bëhet më e shprehur duke kaluar mosha. Jo vetëm kaq, por kur vendosja e aparateve të dëgjimit nuk bëhet me kohë, ndodh një dukuri e tillë, ku pacienti dëgjon me aparat por nuk kupton fjalën e folur. Kjo gjëndje njihet si diskriminim i fjalës së folur. Para se të arrijë deri në këtë gjëndje një i moshuar do të ketë problem vendosjen e aparatit të dëgjimit dhe do t’i duhet kohë për tu adoptuar me të. Pavarësisht se këto 40 vitet e fundit teknologjia e amplifikimit (aparatet e dëgjimit) ka ardhur gjithnjë duke u përmirësuar, nga aparate analoge në digitale, nga aparate të mëdhenj në të vegjël brënda veshit, estetikë, ende nuk është arritur të realizohet menjëherë adoptimi me aparatin e dëgjimit për një kategori pacientësh. Kjo për audiologët shtron pyetjen e madhe: Si duhet bërë që të lehtësohet e të shpejtohet adoptimi me aparatin e dëgjimit?

 

Impakti i presbiakuzisë


    Rënia e aftësisë së dëgjimit sot njihet si një sëmundje globale, që sipas OBSh prek rreth 15% të popullatës së rritur, në shkalla të ndryshme dëgjimi dhe ¼ e tyre i takojnë moshës mbi 60 vjeç. Meqenëse në të gjithë botën po rritet jetëgjatësia, përllogaritjet çojnë në rritjen  e njerëzve që vuajnë nga presbiakuzia. Individët me presbiakuzi pashmangërisht e ndjejnë veten të shkëputur nga komunikimi i përditshëm dhe në shumë prej tyre shfaqen pasoja psikologjike dhe sociale. Në shumë studime të kohëve të fundit të realizuara në ShBA dhe në vënde të zhvilluara është vënë re një lidhje ndërmjet rënies së aftësisë së dëgjimit dhe rënies së proçesit konjitiv, e thënë ndryshe tendencën e kalimit drejt demencës, veçanërisht në moshën e tretë.


Aparatet e dëgjimit 


     Me që presbiakuzia është një dëmtim i pakthyeshëm i dëgjimit, amplifikimi nëpërmjet aparateve të dëgjimit është zgjidhja më e mirë për të ndihmuar dëgjimin e moshës së tretë, apo çfarëdo moshe që ka probleme të patrajtueshme të dëgjimit. Akademia Amerikane e Audiologjisë në sondazhet e saj konstaton se përdorimi i aparateve të dëgjimit redukton mjaft impaktin psikologjik, social dhe emocional të këtyre individëve, duke përmirësuar mjaft cilësinë e jetës së tyre. Pavarësisht benefiteve të përdorimit të aparateve të dëgjimit, është vënë re se rreth 20-25% të protezuarve kanë probleme të adoptimit me aparatin e dëgjimit, çka ngrihet si problem këto dy dekadat e fundit. Kjo dukuri është më e shprehur në vëndet më pak të zhvilluara dhe në një nivel më të ulët në vëndet e zhvilluara. Si barriera të adoptimit të aparateve të dëgjimit konsiderohen: Një vendosje e papërshtatshme e aparatit të dëgjimit me nivelin e humbjes së dëgjimit (mungesa e një personeli të kualifikuar protezues apo atje ku janë falas nga shteti), shtërngesa financiare, kërkesa për një aparat estetik që nuk i përgjigjet humbjes së dëgjimit, informimi jo i plotë i të sëmurit dhe i të afërmëve të tij se si duhet të përdoret e të ruaj aparatin e dëgjimit, shkëputja nga konsultimet me audiologun apo teknikun laborant të aparateve të dëgjimit.


     Komunikimi verbal është një proçes i këmbimit të informacionit ndërmjet dy ose më shumë individësh. Nëse në këtë grup individesh qëndron edhe një i moshuar me presbiakuzi, atëhere komunikimi bëhet i vështirë. Në këtë grup individësh bëjnë pjesë partnerët, familjarë të tjerë e miq. Kur në një çift, njëri apo të dy vuajnë nga presbiakuzia, shfaqet ndjenja e vetmisë për të dy palët ose njeri ndrydhet në vetmi edhe brënda një familjeje më të madhe. Për më shumë,  një individ me presbiakuzi do të ndihet i paaftë të marrë pjesë në aktivitete shoqërore, çka e bën ate të tërhiqet nga shoqëria. Përdorimi i aparateve të dëgjimit do ta aftësojë ate që të jetë pjesë aktive e mjedisit rrethues, komunikimin me atë mjedis. Po kështu, edhe familjarët do ta ndjejnë veten më mirë nga mundësia e re e komunikimit me pjestarin presbiakuzik të familjes.


E rëndësishme për adoptimin

 

     Tradicionalisht suksesi i protezimit ka qenë fokusuar në rënien e aftësisë së dëgjimit të një individi dhe veçorive elektroakustike të aparatit të dëgjimit. Studimet e kohëve të fundit tregojnë se jo të gjithë individët me presbiakuzi kënaqen edhe nga vendosja e një aparati dëgjimi të sofistikuar, çka tregon se mund të ketë edhe faktorë të tjerë që influencojnë në adoptimin e aparatit. Nga këto studime është vënë re se  partneri/a apo të afërm të tjerë luajnë një rol të madh psikosocial tek individët që adaptohen me vështirësi, madje kjo periudhë adaptimi mund të kërkojë 6 muaj – një vit. Më shumë se gjysma e individëve me vështirësi adoptimi përfitojnë shumë nga këmbëngulja e familjarëve apo të miqve për mbajtjen e aparatit të dëgjimit. Në këtë rast detyrë e audiologut është edhe komunikimi orientues me familjarët për të arritur suksesin e protezimit. Qëllimi final i këtij komunikimi është që partneri/a, familjarë e të afërm, të inkurajojnë individin e protezuar që të mbajnë aparatet e dëgjimit disa orë në ditë, si për të komunikuar ashtu edhe për të ndjekur programet TV.






                                Copyright Klinika Radovani 2007