Klinika Radovani

Ne ju rikthejmë dëgjimin .......



Rendesia e Vizites Tek Specialisti Aparateve te Degjimit

Shkruar nga Prof. Dr. Pjerin Radovani

     Para vitit 1990 Ministria e Shëndetësisë sillte nga jashtë një pakicë aparatesh dëgjimi (deri në 10 copë në vit apo dy vjet), të markës Philips tip analog, pa asnjë lloj konsultimi. Natyrisht dijet ishin minimale në këtë drejtim. Mjeku ORL vërtetë këshillonte protezimin akustik, por nuk dinte se si funksiononte proçedura, si përzgjidhej aparati, si përshtatesh tek i sëmuri, etj. Përfitonin zakonisht zyrtarë të lartë, të afërmit e funksionarëve të lartë të Partisë së vetme në pushtet, që kishin probleme me dëgjimin. Në shumë raste të sëmurët që nuk dëgjonin, nuk ishin të kënaqur nga protezimi akustik (vendosja e aparatit të dëgjimit), sepse aparati i bënte zhurmë, e vriste, apo dëgjimi ishte i fortë dhe i padurueshëm, e të tjera ankesa që nuk mund t’ja zgjidhte njeri dhe aparati bëhesh i papërdorshëm. Kjo solli edhe një dëmtim të imazhit të aparateve të dëgjimit, që edhe sot ndeshet rëndom në publik. Në shumë njerëz që i këshillohet protezimi akustik shprehet frika se mos po shpenzon kot, nuk ka përfitim të dëgjimit, apo aparati i dëmton më shumë dëgjimin. Duhet theksuar që në këtë periudhë kishte një mungesë totale të specialistëve të aparateve të dëgjimit.
 
Pasi Shqipëria u hap filluan të vinin me ndihma nga llojet më të ndryshme të aparateve të dëgjimit, shumica të përdorura, aparate të prodhimeve 30-40 vjet përpara që kishin mbetur stoqe në depot e botës. Nevojtarët i blinin, sepse shiteshin lirë nëpër farmaci apo në tregjet e rrugës, apo jepeshin falas nëpër institucione fetare. I sëmuri nuk konsultohej me një mjek specialist. Kjo përhapje e aparateve të dëgjimit solli nevojën e përgatitjes të specialistëve të aparateve të dëgjimit, që në Europë njihen me emrin “Audioprotezist”, ndërsa në kontinentin amerikan si “Hearing Instrument Specialist”. Kështu në vitin 1996 filluan të vinin specialistë nga Italia dhe në vitin 1998 fillon një shërbim i specializuar pranë Klinikës tonë që në atë kohë njihej si TELEKTRA. Ndërkohë mjekë shqiptarë dhe specialistë italianë filluan protezimin akustik në shkollën e shurdh-memecëve, por fillimisht me aparate analoge, tashmë të kontrolluar e të drejtuar mirë. Në vitin 1999 Klinika jonë solli dhe aplikoi për të parën herë aparatet e dëgjimit digitale të firmës së mirënjohur në botë GN ReSound. Që nga viti 2007 klinika jonë mban eskluzivitetin e aparateve të dëgjimit Siemens, që është ndër prodhuesit më prestigjozë në këtë fushë, me një histori 134 vjeçare. Sot në vendin tonë, përveç Siemensit, janë të pranishme edhe firma te tjera serioze si Oticon, Phonak, etj. Pavarësisht këtij zhvillimi, njerëzit ende nuk kanë informacionin e duhur, se për të vënë një aparat dëgjimi gjithshka fillon me konsultën e mjekut dhe mbaron tek specialisti aparateve të dëgjimit. Për më tepër nuk dihet rregulli më i rëndësishëm i kësaj proçedure; aparati dëgjimit vendoset në vendin ku jeton personi i dëmtuar. Shumë njerëz porosisin jashtë një aparat  nëpërmjet të afërmëve të tyre emigrantë apo blerjeve në internet, me idenë se aparatet e blera jashtë janë të një cilësie më të mirë dhe janë më të lira. Cili është problemi që do të krijohet?
 
Është e vërtetë se shumë distributorë të këtyre produkteve sigurojnë aparate dëgjimi me kosto të ulët, por blerja dhe përdorimi i tyre pa u konsultuar me profesionistët e dëgjimit, ekzaminimet speciale, vendosjen e diagnozës, marrjen e masës së veshit, përshtatjen dhe programimin e aparatit, çon në një keqfunksion të aparatit e për pasojë dëmtimin e mëtejshëm të dëgjimit.
 
Shkaqet e dëmtimit të dëgjimit janë të shumta si mplakja, bllokimi i veshit,, infeksionet e veshit, traumat e kokës, përdorimi pa kriter i barnave që dëmtojnë dëgjimin, sëmundja e Menierit, otoskleroza, ekspozimi në mjedise me zhurmë të fortë, tumoret e veshit, etj. Humbja e plotë e dëgjimit nuk mund të trajtohet me protezim akustik (aparate dëgjimi), por kërkon implant koklear. Disa dëmtime të dëgjimit mund të trajtohen me ilaçe apo ndërhyrje kirurgjikale dhe kur këto trajtime nuk janë efektive, shihet mundësia e riaftësimit të dëgjimit me aparat dëgjimi. Nga do ta dijë shitësi abuziv i aparateve të dëgjimit se cili është problemi i të sëmurit, madje ka dhe të atillë shitës që i kërkojnë fjala vjen një emigranti numërin e aparatit. Vërtetë aparatet kanë një numër serie, por ai numër nuk përcakton cilësinë e përshtatjen e aparatit.
 
Shumica e prodhuesve seriozë të aparateve të dëgjimit nuk lejojnë shit-blerjen e aparateve të dëgjimit jashtë rregullave doganore dhe pa konsultimin drejt për drejtë të sëmurit me një profesionist dëgjimi i liçensuar. Ky profesionist duhet të ketë marrë ekskluzivitetin e shitjes nga një firmë e prodhimit të aparateve të dëgjimit dhe firma prodhuese kontrollon të gjithë aktivitetin e shitblerjeve të aparateve, rezultatet, në mënyrë që të mos bjerë reputacioni i firmës. Studimet e kryera nga Hearing Industries  Association kanë treguar se arsyea kryesore që një i sëmurë është i kënaqur me aparatin e dëgjimit është kontakti direkt i të sëmurit me një profesionist dëgjimi të trajnuar mirë nga firma që i ka dhënë ekskluzivitetin. Teknologjia do të jetë e suksesshme vetëm kur dëmtimi i dëgjimit të jetë vlerësuar në mënyrë profesionale.
 
Katër komponente janë të rëndësishme për një aplikim të suksesshëm të aparatit të dëgjimit:
 
1.    Vlerësim specifik i veshit. Fillon me vizitën e mjekut otorinolaringolog për vënien e diagnozës dhe mundësinë e trajtimit të problemit dëgjimor. I sëmuri duhet ti nënshtrohet ekzaminimit të dëgjimit dhe pasi përjashtohet mundësia e riaftësimit të dëgjimit me barna apo operacion, këshillohet vendosja e protezës dëgjimore duke e referuar rastin drejt një profesionisti të dëgjimit (audioprotezist).
 
2.      Personalizimi i aparatit të dëgjimit. Një aparat dëgjimi dixhital duhet të programohet dhe të personalizohet sa më mirë për rastin konkret. Edhe kur janë të ngjashme, asnjëherë nuk mund të gjënden dy rënie dëgjimi të njëllojta, qoftë nga dëmtimi i veshit , qoftë nga vetë personi i dëmtuar. Kjo do të thotë që programimi i personalizuar ka një rëndësi të veçantë në suksesin e vendosjes së aparatit dhe mbarëvajtjes së tij. Vetëm kështu rënia e dëgjimit do të rikuperohet me efektivitet të plotë.
 
3.     Vlerësimet psikologjike dhe këshillimet. Një aparat dëgjimi nuk është një prodhim normal konsumi. Ai përfaqson një aparaturë mjekësore të ndërlikuar. Mesatarisht njerëzit që e dinë se kanë një problem me dëgjimin e tyre humbin rreth 7 vjet kohë deri sa të marrin një vendim se si ta zgjidhin ate. Gjatë kësaj kohe ata gjithnje mendojnë: “Çdo mendojnë njerëzit për mua, nëse ata e marrin vesh se unë mbaj një aparat dëgjimi”. Kjo është frika që i mban larg ata nga vendimi për të marë një aparat dëgjimi, por i shtyn të provojnë lloj-lloj aparatesh duke u konsultuar me veten apo me një mik të tijin aspak kompetent. Kjo është njëlloj sikur të imobilizosh një krah të thyer me Band-Aid, apo ti kërkosh një njeriu dosido të të vendosë allçinë.
 
4.     Arti i protezimit. Jo kushdo mund të vendosë një aparat dëgjimi. Këtu bën pjesë edhe një mjek otorinolaringolog apo audiolog që nuk njohin audioprotezinë. Përzgjedhja dhe përshtatja e aparateve të dëgjimit është art në vete që udhëhiqet nga shkenca e elektronikës dhe informatikës, të plotësuar edhe me eksperiencën e një audioprotezisti. Kjo do të thotë se dy njerëz me rënie dëgjimi në nivele të barabarta dhe që mbajnë të njëjtin aparat, mund të mos kenë të njëjtin efektivitet. Kjo kërkon përshtatje individuale të aparateve, gjë që realizohet nga një audioprotezist me përvojë. Në vendin tonë duhet bërë akoma një punë e madhe për njohjen e figurës së specialistit të aparateve të dëgjimit (apo audioprotezistit) dhe renditjen e tij në nivel të barabartë me teknikët dentare, okulistë etj.