KLINIKA  RADOVANI
 
         Ne ju rikthejme degjimin.......                                 TEL: 042 371735
   Home      Kujdesi per veshin e femijes suaj
 
Shkruar nga Prof. Dr. Pjerin Radovani




      Normalisht veshi i fëmijës ashtu sikurse i rrituri prodhon dyllë, diku më shumë e diku më pak. Zakonisht te fëmijtë e vegjël dylli i prodhuar ka ngjyrë të verdhë dhe me një konsistencë si krem. Më tej do të japim udhëzime se si duhet të pastrohet veshi i fëmijës dhe si të mbahet i pastër.


   Dylli i veshit nuk konsiderohet trup i huaj, por fëmijtë e vegjël kanë një prirje për të futur në vesh lloj-lloj objektesh, të cilat sëbashku me dyllin krijojnë një masë që bllokon veshin apo mund të shkaktojë infeksion të lëkurës së kanalit të veshit. Pamvartas se prindi apo kujdestarja e kopshtit mund të jenë të kujdesshëm, është i domosdoshëm një kontroll i fëmijës te mjeku, sëpaku një herë në tre muaj. Megjithate, edhe në shtëpi mund të merren disa masa të thjeshta për kujdesin e veshit të fëmijës.

 

   Përdorni pika, jo steka me pambuk  (swabs, kotonçina) për të hequr dyllin. Prania e një sasie të vogël dylli në vesh është diçka e vaforshme për fëmijën. Kjo masë e vogël dylli mbron veshin nga bakteriet, myknat, insektet apo uji. Por një sasi më e madhe dylli mund të mbështetet apo të ushtrojë një presion të lehtë mbi lodrën e veshit, ose të bllokojë plotësisht kanalin e veshit duke shkaktuar një rënie të aftësisë së dëgjimit. Nëse në një rast të tillë do të perdorim një kotonçinë për të pastruar dyllin, ne e thajmë dyllin; mund ta shtyjmë më thellë, por mund të dëmtojmë edhe lodrën e veshit. Shumë e këshillueshme është përdorimi i pikave vajore (baby oil, vaj mineral, vaj ulliri), të ngrohura me temperaturën e trupit, 2-3 pika çdo javë në vesh. Vaji e shkrin dyllin dhe e bën të dalë vetvetiu nga veshi. Nëse në këtë mënyrë nuk realizohet pastrimi i veshit, atëhere fëmija çohet te mjeku.


   Kontrolloni herë pas here veshët e fëmijës tuaj. Fëmijët kanë një prirje për të futur objekte të vogla në veshë, si farëra të ndryshme apo objekte të forta, rruaza, minibateri, etj. Edhe nëse do t’i shikoni objektin në vesh, mos tentoni t’ja hiqni, sepse mund të bëni më shumë dëm. Në raste të tilla fimija duhet të çohet te mjeku specialist.


•             Pastroni me kujdes gropat e palat e llapës së veshit dhe pas llapës së veshit. Duke qenë se llapa e veshit të fëmijës është e vogël dhe delikate, në gropëzat e llapës mblidhen papastërti. Sa herë që fëmisë i bëni banjë, pastroni me kujdes me një kotonçinë palat e llapës së veshit, ose ia fshini me një pecetë të njomur me ujë të ngrohtë.


•             Kontrolloni infeksionin. Një nënë e kujdesshme është në gjëndje të zbulojë një infeksion të veshit pa qenë e nevojshme të përdorë Otoskop. Një fëmijë që ka temperaturë, qan dhe mban veshin me dorë tregon një infeksion të veshit të mesëm. Po kështu sekrecionet e trasha si qurra janë shfaqje e një infeksioni të veshit të mesëm. Kur është e skuqur hyrja e kanalit të veshit flet për një infeksion të veshit të jashtëm. Në të gjitha keto raste fëmia duhet të vizitohet nga mjeku pediatër apo specialist ORL


   Kujdesi pas notit. Pavarësisht se ku lahet fëmia, në detë apo në pishinë, veshi mund të infektohet, sepse uji nuk është steril, pra ka përmbajtje të ndryshme mikrobike. Në raste të tilla  ka hapa parandaluese që ju mund të merrni për të shmangur këto infeksione në kanalin e veshit të jashtëm. Nëse fëmija juaj aktualisht nuk ka ndonjë infeksion, duhet të merrni këtë përzjerje: Pjesë të barabarta alkooli 70 grade, uthull të bardhë dhe ujë (ju mund ta ruani atë në një shishe të vogël të pastër nëse do të udhëtoni. Pasi fëmia të ketë bërë banjë, i thahet veshi me kujdes dhe pikohen disa pika nga kjo përzjerje në vesh dhe veshi lihet të thahet vetë, pra jo të fshihet përmbajtja që iu hodh në vesh. Nëqoftëse fëmia ka vuajtur nga veshët duhet të konsultohet me një mjek specialist para se të vejë në plazh apo pishinë. Në raste të tilla veshi duhet të bllokohet me një pambuk të njomur me vaj ulliri apo parafine, para se të lahet.





                        Copyright Klinika Radovani 2007