KLINIKA  RADOVANI
 
         Ne ju rikthejme degjimin.......                                 TEL: 042 371735
   Home      Gjashte shenja te hershme te renies se degjimit
 

   Shkruar nga Prof. Dr. Pjerin Radovani



    Rreth 36 milion amerikanë vuajnë nga rënie të aftësisë së dëgjimit në shkallë të ndryshme dhe nevoja për riaftësimin varet nga patologjia që e ka shkaktuar këtë renie. Kjo rënie është më e hershme në subjekte që i ekspozohen zhurmave në mjedise të ndryshme: Zhurmat industriale, koncertet “live”, qëndrimi në disko, pub-e, dasma shqiptare; përdorimi i iPod-eve që shkakton rënie të aftësisë së dëgjimit që në moshë të re. Duhanpirja dhe sëmundjet kronike (diabeti, hipertensioni, sëmundjet e zemrës) çrregullojnë qarkullimin e gjakut në veshë duke dëmtuar organin receptor të dëgjimit.


  Përdorimi i disa barnave të njohura si “ototoksike” (aspirina, kinina, streptomicina, kanamicina, etj.) dëmtojnë dëgjimin deri në humbje të tij.   Dëmtimi i dëgjimit në shumicën e rasteve është gradual, prandaj edhe nuk kuptohet. 1/5 e njerëzve të moshës 45-65 kanë probleme të shkallëve të ndryshme me dëgjimin. Gjysma e njerëzve mbi moshën 70 vjeç kanë rënie të aftësisë së dëgjimit, deri edhe ne moskuptimin e fjalëve edhe kur i flitet me zë të lartë.


Më poshtë po paraqesim 6 shënja të hershme që paralajmërojnë rënien e aftësisë së dëgjimit:


Shenjë paralajmëruese: Acarohen kur gruaja apo fëmia nuk e ngre zërin sa duhet


   Dihet se zëri i fëmijës dhe i grave kanë një frekuencë të lartë, në këtë mënyrë një person i familjes në të cilin ka filluar rënia e aftësisë së dëgjimit, nuk është në gjëndje të kuptojë se ç’thone ato. Kërkon që ato të flasin me zë më të fortë.


   Shënja të tjera: Nuk kap tinguj të tjerë me frekuencë të lartë, si kercitjet e dyerve që hapen, të qarën e fëmijës, cicërimen e zogjve, muzikën, etj.


Shenjë paralajmëruese: Nuk është i sigurtë se nga i vjen zëri


   Një person që ka dëgjim perfekt është në gjëndje të dallojë menjëherë se nga i vjen një zë tjetër po të jenë të dy në një dhomë, pavarësisht se nuk e sheh. Ndërsa jashtë një person me dëgjim të mirë dallon se nga i vijnë zhurma si cicërima e zogjve, fërshfëritjet, një objekt që bie në tokë, etj. Në një person që ka filluar t’i bjerë aftësia e dëgjimit, nuk është në gjëndje të lokalizojë burimin e zërit. Ai rrotullon shikimin majtas-djathta-prapa  për të gjetur se nga i vjen ndonjë zhurmë.

   Jo gjithnjë rënia e aftësisë së dëgjimit është barabar në të dy veshët, ndaj nuk arrin të lokalizojë se nga i vjen zhurma.


Shenjë paralajmëruese: Kërkon të ngrejë volumin e televizorit


   Është shenjë karakteristike që tregon se aftësia e dëgjimit nuk është e tillë sa të dëgjojë volumin që mbajnë pjestarët e tjerë të familjes. Rritja e volumit bëhet e bezdisshme për familjarët. Kuptohet që brënda familjes do të ketë një kontrast dëgjimi.

   Shenja të tjera: Kur dikush dëgjon një MP3 player dhe personi shoqërues apo dikush tjetër që qëndron pak më prapa dëgjon sado pak muzikën që emeton MP3-shi, tregon që personi që po dëgjon muzikë ose nuk dëgjon mirë, ose bën budallallëkun që dëgjon muzikën me volum të lartë, çka është shkatërruese për veshin.


Shenjë paralajmëruese: I kërkon të afërmëve apo miqve të përsërisin fjalët

  

    Një nga shenjat e hershme të çrregullimeve të dëgjimit është shprehja: Çfarë the? Lepe? Hee? Nga pjestarët e familjes kjo shfaqje mund të mos kuptohet fillimisht, por të afërmit një shenjë të tillë e kapin shpejt. Pra familjari apo i afërmi i drejtohet subjektit në fjalë me shprehje të tillë: Po ku e ke mendjen? Dëgjon apo s’dëgjon? Shumë herë njëri nga bashkshortët i përsërit fjalët tjetrit apo i interpreton fjalitë. Në shqip për raste të tilla njihet shprehja: Si ke ndje Pepë?-Po mbjell do qepë.


Shenjë paralajmëruese: Në restorant kërkon të qëndrojë afër bashkebizeduesit


   Njerëz me probleme të hershme të humbjes së dëgjimit kur janë në mjedise me shumë njerëz si në kafene, restorante, nuk arrijnë të kuptojnë se ç’thotë bashkbizeduesi, prandaj tentojnë të afrohen pranë tij, apo vejnë pëllëmbën e dorës te llapa e veshit. Edhe me një bashkbizedues në një vend të qetë, shpesh herë detyrohet të jetë tepër i vëmendshëm duke parë edhe buzët e bashkbizeduesit gjatë bizedës.


Shenjë paralajmëruese: I shmanget aktiviteteve dhe pjesëmarrjes


     Njerëzit në të cilët ka filluar rënia e aftësisë së dëgjimit, bota fillon e ngushtohet që do të thotë se gradualisht fillojnë e mbyllen në vetëvete. Nuk kanë dëshire të marrin pjesë në aktivitete shoqërore, sepse e ndjejnë veten të frustruar nga vështirësia e komunikimit. Shumë herë ata nuk janë në gjëndje të kuptojnë problemin që kanë me dëgjimin.


   Shenja të tjera: Depresioni Gjithnjë ka një lidhje në rritje ndërmjet humbjes së aftësisë së dëgjimit dhe depresionit. Rreth 60% e të sëmurëve me rënie të aftësisë së dëgjimit kanë shfaqje depresive të shkallëve të ndryshme, madje Sergey Kochkin drejtor i Institutit Australian të dëgjimit shprehet “Humbja e dëgjimit çon në izolim dhe të tjera gjëndje emocionale që prekin cilësinë e jetës deri në dëmtime të shëndetit mendor”.


   Është e çuditshme se njerëzit sapo fillojnë të kenë problem me shikimin, menjëherë kërkojnë korigjimin e pamjes, ndërsa ende sot ato që kanë probleme me dëgjimin kanë një ndrojtje për të vënë aparat dëgjimi, megjithëse teknologjia e këtyre 15 viteve të fundit është mjaft e përparuar............

 




                            Copyright Klinika Radovani 2007