KLINIKA  RADOVANI
 
         Ne ju rikthejme degjimin.......                                 TEL: 042 371735
   Home      Autizmi dhe mjeku ORL
 
Shkruar nga Prof. Dr. Pjerin Radovani



          Sot në vendin tonë i pari që bije në kontakt me një fëmijë autik është mjeku ORL, i cili gabimisht mund ta vlerësojë si një fëmijë që nuk dëgjon, e më tej duke e trajtuar si fëmijë të tillë. Pra në këtë rast pa kuptuar i bëhet një dëm këtij fëmije, sepse nuk diagnostikohet e trajtohet në kohë. Autizmi në vendin tonë ashtu sikurse edhe në botë po shfaqet gjithnjë e më shumë. Nuk dihet përse ndodh kështu, por mendohet që të jenë rritur mundësite diagnostike.


   Është bërë e mundur që të vlerësohet se disa forma të autizmit të ndodhin një në 150 lindje. Autizmi është një crregullim i zhvillimit neurologjik që dëmton proceset emotive, integrimin sensor dhe procesin e të folurit. Në fëmijtë që lindin autikë mungon zhvillimi i rrugëve neurologjike normale që mundësojnë mësimin dhe kuptimin e të folurit, zhvillimin e ndjenjave, leximin e shprehjeve të fytyrës, diferencimin e tingujve dhe zhurmave në mjedisin që e rrethon. Autizmi shfaqet në formën e tij më të lehtë si deficit i vëmëndjes, deri në formën më të rëndë „Autizmi i vertetë“. Diagnoza e hershme (para moshes 3 vjec) dhe ndërhyrja më terapinë e të folurit, lodrave dhe sjelljes bën që të ndryshojnë drejt aftësimit edhe format më të rënda të autizmit. Ndërhyrja e hershme dhe intensive bën që rëzultati të reduktojë në maksimum apo të zhdukë plotsisht shënjat reziduale të sëmundjes dhe subjekti të vlërësohet « i shëruar ».


   Vonesa e të folurit të një fëmijë pas moshës 3 vjec është shënja më e qartë që detyron prindin të cojë fëmijën për vizitë te mjeku ORL apo pediatër. Vonesa e të folurit apo fjalori  tepër i kufizuar mund ti atribuohet një patologjie të veshit të mesëm, apo rënieve sensoro-neurale të dëgjimit. Për këtë arsye mjeku ORL ndeshet i pari me autizmin, sepse edhe pediatri mund te mendojë që mund të ketë të bëje me një dëmtim të aftësisë së dëgjimit. Kjo gjë bën imperative për mjekun ORL, të njohë autizmin dhe të dyshojë për të, kur ndeshet me një fëmijë që nuk flet apo të folurit i ka ardhur me vonesë, pavarësisht pranisë apo mungesës së semundjes së veshit. Detyra e mjekut ORL është të përjashtojë semundjen e veshit, por ai duhet të dyshojë autizmin në një fëmijë që i paraqitët për vizitë kur :


  1. Fëmija nuk të sheh në sy kur i flet apo bën lëvizje drejt tij.
  2. Është indiferent ndaj tjerëve, lojrave, qoftë edhe ndaj prindërve.
  3. Ka tendencë të rrijë i tërhequr, nuk reagon nga përkedheljet.
  4. Përplas kokën në objekt të fortë, apo shfaq tendencë autolezionimi.
  5. Bën veprime të përsëritura dhe obsesive.
  6. Echolalia ( përsërit fjalët që i thuhen, pa qënë në gjëndje të thotë fjalë tjera apo përgjigje).
  7. Uluret kur e largon nga një vënd që atij i duket i rehatshem, por nuk të sheh në sy.
  8. Nuk flet apo flet shumë pak, por kupton ate që i thuhet.
  9. Nuk të rikthen buzëqeshjen.
  10. Nuk përgjigjet kur e thërret me emër.

Femija shurdh apo me humbje të pjesëshme të aftësisë së dëgjimit ndryshon nga sa më lart:


  1. Ndjek me sy mjekun dhe është tepër i vëmendshëm, qoftë edhe me shurdhësi të plote.
  2. Është fëmijë i interesuar për lodrat, televizorin dhe komunikon mirë me prindërit, apo edhe me mjekun nëpërmjet syve.
  3. Otoskopia ve në dukje patologji të veshit të mesëm, ndërsa provat elektrofiziologjike rregjistrojnë humbjen e dëgjimit në shkallë të ndryshme.

     Mjeku ORL nuk është i detyruar të vej diagnozën e autizmit, por nëqoftëse ai dyshon, me shumë kujdes keshillon prindërit dhe kolegun e vet pediatër që fëmija ti nënshtrohet një vlerësimi të zhvillimit. Një gjë e tille mund të bëhet nga një neuropediatër, megjithse në vendin tonë ende nuk ekzistojnë struktura të tilla të mirëorganizuara dhe të mbështetura nga qeverisjet vendore. Një pediatër i zakonshëm nuk e ka trajnimin e nevojshëm apo një backround të mjaftueshëm për të diagnostikuar e trajtuar autizmin dhe të gjithë spektrin e crregullimeve autike. Shumë herë format e lehta nuk arrijnë të diagnostikohen. 


   Sidoqoftë, edhe dyshimi per autizëm duhet të trajtohet. Sot në vëndet e zhvilluara ka qëndra të specializuara për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e mundshëm të autizmit.

Për një prind të kulturuar është e veshtirë të pranojë stigmën e një autizmi të mundshëm dhe të fillojë terapinë e rekomanduar. Lufta e mjekut me autizmin është njëlloj si lufta me kancerin. Njëra të merr mëndjen dhe tjetra jetën. Po zbulohen e trajtohen në kohë, shpëton si mëndja, ashtu dhe jeta. Ja pra cfarë rroli kyc ka mjeku ORL për të ndryshuar thellësisht jetën e këtyre fëmijve.




                           Copyright Klinika Radovani 2007